I dashur mësues,
Im bir sot fillon shkollën. Pas pak, gjithçka për të do të jetë e çuditshme, e re, ndaj do të doja të ma trajtonit butësisht. Është një aventurë që im bir do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.
Kjo aventurë ndoshta ta përballë me luftëra, tragjedi, fatkeqësi. Që ta jetosh këtë jetë, duhet besim, dashuri, kurajo. Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit tim bir përdore, e t’i mësonit ato çka do t’i duhen të dijë. Mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.
Mësojini se për çdo armik, ekziston një mik.
Mësojini se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë janë të sinqertë. Megjithatë tregojini se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, ekziston një udhëheqës i përkushtuar.
Mësojini, nëse mundeni, se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë sesa një dollar i gjetur. Në shkollë, zoti mësues, është shumë më e ndershme të dështosh sesa të mashtrosh. Mësojini tim biri qysh të humbë me dinjitet, si t’i gëzohet fitores kur fiton.
Mësojini të jetë i mirë me njerëzit e mirë, i ashpër me njerëzit e ashpër. Përpiquni t’i tregoni qysh t’i qëndrojë sa më larg zilisë, dhe, nëse mundeni, mësojini sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër. Mësojini po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp. Mësojini se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.
Mësojini t’i përqeshë cinikët. Mësojini, nëse arrini, të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu jepini edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.
Mësojini të këtë besim në idetë e tij edhe atëherë kur të gjithë i thonë se janë të gabuara. Mundohuni t`i jepni tim biri forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.
Mësojini të dëgjojë çdo njeri me vëmendje, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç më të mirën. Mësojini sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin dhe zemrën.
Falini kurajën e të qenit i paduruar. Jepini durimin e të qenit trim. Mësojini të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim tek njerëzimi dhe tek Zoti.
Këto janë kërkesat e mia, zoti mësues, por ju bëni atë që mundeni.
Është fëmijë i vogël dhe i mirë. Është im bir.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen