Adware quhen programet që bëjnë reklama. Spyware quhen programet që përgjojnë përdorimin e kompjuterit, zakonisht faqet që viziton në internet ose emailin. Programet që përgjojnë internetin mundohen të zbulojnë se çfarë i intereson përdoruesit dhe dërgojnë reklama që u përshtaten atyre interesave.
Ka shumë programe të ndryshme në këtë grup por shumica përqëndrohen në këto:
- Ndryshimi i faqes së hapjes të shfletuesit (internet explorer, netscape, aol, msn, etj).
- Instalimi i ikonave të reja në krye të shfletuesit. Zakonisht këto ikona janë për kërkimin e internetit, dyqane, bixhoz, pornografi, shkarkime (download), etj.
- Hapja e dritareve ose mesazheve të ndryshme që ju ofrojnë të blini diçka, të vizitoni një faqe, të luani një lojë, të merrni një shpërblim/llotari që keni fituar, etj.
- Gjurmimi dhe përgjimi i faqeve që vizitoni me qëllim që të bëjnë reklama që u interesojnë.
- Ngadalësojnë kompjuterin dhe lidhjen e internetit.
- Ngarkojnë kompjuterin me programe të shumta.
- Regjistrohen në kompjuter dhe nuk të japin mundësi për ti hequr.
-Si futen në kompjuterë?
- Duke hapur një program që i instalon ato. Ky program mund të futet në kompjuter nga emaili, mund të shkarkohet nga faqet e internetit, nga Kazaa, shkëmbimi i skedarëve në Chat (mirc, msn, yahoo, aol), e plot të tjera.
- Shumë nga këto programe instalohen me, ose pa dijen tënde, kur viziton një faqe interneti. Këto faqe përdorin mënyra nga më të ndryshmet me dritare të vogla pop-up, mesazhe të ndyshme, cookies, reklama, flash, activex, etj që të gënjejnë ose detyrojnë përdoruesin për të instaluar reklamat, për të ndryshuar faqen e hapjes në internet explorer, për të instaluar një toolbar, etj.
Disa prej këtyre faqeve shfrytëzojnë gabimet ose konfiguracionin e gabuar të shfletuesit (internet explorer) dhe instalohen menjëherë pa bërë asnjë pyetje.
- Një pjesë tjetër e programeve parazitë vijnë bashkë me programe të tjera. Pothuajse të gjithë programet e vegjël që ofrohen falas si Kazaa, Date Manager, Time Manager, Calendar, Gator, lojra interneti, gjatë instalimit futin në kompjuterin tuaj edhe programet parazitë që përgjojnë veprimtarinë e komjuterit dhe pastaj dërgojnë reklama në lidhje me informacionin që përgjuan. psh: Nqs unë hap një faqe me muzikë të Madonës, programi spiun do ta shikojë këtë dhe do dërgojë një reklamë për të blerë një album të Madonës.
Kini kujdes se disa nga programet që hiqen sikur i ndalojnë reklamat, instalojnë akoma më shumë. Përdorni vetëm programet serioze si Ad-Aware (jo adware), Spybot, CWShredder.